Historia e Parkut

Parku i vetëmenaxhuar i rrugës Navarinu u krijua më 7 mars 2009, kur qindra banorë të lagjes Eksarhia dhe lagje të tjera zunë ish parkingun, pronësi e TEE, dhe e kthyen atë në një zonë të gjelbër, për të luajtur e për t’u takuar. Që atëherë hapësira është përdorur për aktivitete të ndryshme, si kopsht, lojra, kinema, diskutime dhe mbledhje.

Parku u krijua si rezultat i vendimit që mori një mbledhje e hapur e banorëve të lagjes dhe zonave të tjera të Athinës. Manaxhimi i parkut u bazua që në fillim në punën kolektive dhe kontributin e pjesëmarrësve, duke qëndruar kështu larg strukturave shtetërore, bashkiake apo private. Kushtet e funksionimit formohen e formulohen nga pjesëmarrësit. Si projekt konsiston në vazhdimin e dinamikës së përgjithshme vetë-organizative e shoqërore që u lind gjatë ngjarjeve të dhjetorit të vitit 2008.

Gjatë ngjarjeve të dhjetorit shumë njerëz dolën në rrugë jo vetëm për të protestuar vrasjen e Aleksandros Grigoropulosit, por edhe për të kërkuar mënyra komunikimi, mirëkuptimi dhe përgjigje për çdo gjë që po ndodhte.

Iniciativa të tjera kolektive dhe struktura të reja të vetorganizuara u shfaqën dhe krijuan sipërmarrje te tjera: kuzhina sociale, okupime ilegale godinash, rifitim hapësirash publike (parku në rrugën Qipru), etj.

Parku shpreh në mënyrë të qartë nevojën për të kuptuar ndryshimet në jetën tonë të përditshme, ashtu si dhe kohën dhe vendin tonë, me mjete anti-komerciale, antihierarkike dhe të pandërmjetësuara. Në vend të privatizimit të hapësirës, ​​Parku propozon krijimin kolektiv dhe horizontal të qytetit, të drejtën e pjesëmarrjes në çështjet publike, dhe i shërben një nevoje të veçantë sociale: ekzistencën e hapësirave të hapura publike për takim e dëfrim. Në një metropol i cili është shkatërruar nga “zhvillimi” urbanistik dhe çdo lloj aktiviteti fitimprurës, Parku funksionon nëpërmjet punës kolektive dhe konsultimit të drejtpërdrejtë demokratik, larg çdo logjike caktimi të funksionimit tek “ekspertë” apo “organe”.

Ndryshe nga të gjitha parashikimet, Parku Navarino tashmë ka kaluar një dekadë jete. Megjithatë, sot jetojmë në një mjedis krejtësisht të ndryshëm. Pas dhjetë vjetësh, Eksarhia gjendet në një situatë margjinale rrënimi dhe getizimi, e cila riprodhon vazhdimisht praktika dhune autoritare të të fortit ndaj të dobëtit, ashtu si dhe fenomene kanibalizmi shoqëror.

Sjelljet antisociale dhe kriminale, që më parë qenë të pakonceptueshme (të shtëna, kërcënime të banorëve, vjedhje të vazhdueshme të dyqaneve të vogla, sulme kundrejt homoseksualëve dhe transeksalëve, rrahje me egërsi të paimagjinueshme) janë bërë pjesë e jetës tonë të përditshme. Tek të gjitha pedonalet e Eksarhias aktiviteti kryesor është tregtia e substancave të ndaluara, që tërheq klientelë nga e gjithë Atika dhe bën xhiro të lartë, duke lejuar mafien e narkotikëve të kërkojnë dominimin absolut të hapësirës publike. Në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë banorë deryrohen të largohen nga shtëpitë e tyre, duke i konvertuar ato në streha afatshkurtra me qira për turistët e botës së parë, të cilët kërkojnë aventura, eksperienca, “përvoje urbane” të këtij lloji të veçantë që ofron Eksarhia.

Në këtë kontekst, dhe falë sakrificës së pjesëmarrësve, Parku ia ka dalë të bëhet hapësira e përbashkët që ende ruan vlerësimin dhe shpresën e banorëve dhe të kolektivave. Përveç kësaj, diçka e rëndësishme po ndodh këtu në vitin e kaluar. Këndi i fëmijëve që aktualisht zë një pjesë të vogël të Parkut, është bërë i vetmi kënd lojrash në Eksarhia. Mundi shumëvjeçar për krijimin, mirëmbajtjen dhe funksionimin e tij, dhe fakti i trishtuar që të gjitha hapësirat për fëmijë në këtë zonë janë shkatërruar ose braktisur, e kanë ngritur në një rrugëdalje për përmbushjen e nevojave shoqërore të fëmijëve, nënave dhe baballarëve për të pasur një hapësirë të përbashkët për argëtim.

Por ka diçka më të rëndësishme. Prindërit e lagjes organizohen dhe ndërmarrin menaxhimin dhe funksionimin e këndit të lojrave. Një audiencë më të gjerë ndërgjegjësohet dhe aktivizohet, kujdeset për pastërtinë dhe ndriçimin e hapësirës, prodhon dhe riparon lodra dhe organizon evente për fëmijë. Këndi i Lojrave të Parkut Navarino është tashmë një model i vetë-organizimit shoqëror dhe shembull i manaxhimit të hapësirës për zonën.

Përtej të gjitha pritjeve dhe skepticizmit, Parku arrin të sjellë në pah forma të reja të komunikimi dhe socializimi, të përfshijë banorë të lagjes dhe t’u përgjigjet realisht nevojave të tyre.

Ky dinamizëm mbresëlënës dhe ndikimi pozitiv në Eksarhia na frymëzon për të zgjeruar Parkun në një shesh të madh lojrash. Askush nuk do të përjashtohet nga përdorimi i tij. Parku do të mbetet i hapur për prindërit, gjyshërit dhe fëmijët, foshnja dhe adoleshentë, duke zgjeruar paralelisht funksionet e shumta të hapësirës për përdorim të përbashkët të lagjes dhe më tej. Si vend loje, eventesh dhe koncertesh, si vend leximi, lojrash dhe takimi, ose thjesht si një vend i gjelbër dhe mirëpritës, Këndi i Madh i Lojrave do të mbetet hapur për çdo përdorim të sipërpërmendur, pa përjashtuar përdorime të tjera.

Iniciativa është përkrahur tashmë nga shumë njerëz në Eksarhia dhe jo vetëm. Por kjo është një sfidë e re për të gjithë. Ne jetojmë në një periudhë recesioni të madh lëvizjesh shoqërore, zhgënjimi social, dorëzimi dhe degradimi. Gjendemi këtu ku jemi sot pas përpjekjeve gjigande dhe vështirësive të vazhdueshme. Nëse diçka na nxit të ecim përpara, është jehona që puna jonë ka në praktikë, jo në teori: në formimin e dukshëm të sjelljeve, ndërgjegjeve, praktikave dhe të jetës së përditshme.

Parku i vetë-menaxhuar Navarino

 

E-mailparkingparko@espiv.net

Websitehttps://parkingparko.espivblogs.net

FacebookΑυτοδιαχειριζόμενο Πάρκο Ναυαρίνου / Navarinou self-managed park

YouTube channelParko Navarinou

Twitter@pnavarinou